Vëmë Njerëzit Para Fitimit.
Që njerëzit sot të dinë ç’të presin nga cilido software ose shërbim që përdorin, mund të jetë e punë e zorshme. Teknologjia mbi të cilën bazohet jeta jonë është e ndërlikuar dhe njerëzit nuk kanë kohë të rrëmojnë në hollësira. Kjo është e vërtetë edhe për Firefox-in, ku kemi parë se njerëzit kanë ide të ndryshme mbi ç’ndodh nën kapakun e shfletuesit të tyre.
Në Mozilla respektojmë dhe mbrojmë të dhënat tuaja personale:
- Ne ndjekim një grup Parimesh Privatësie të Dhënash që i japin formë trajtimit nga ne të privatësisë në shfletuesit Firefox për desktop dhe celularë.
- Mundohemi të grumbullojmë vetëm të dhëna që na duhen për të krijuar produktet më të mira.
- Punojmë për t’i vënë njerëzit në kontroll të të dhënave të tyre dhe të veprimtarisë internetore.
- Jemi me parimin “pa surpriza”, që do të thotë se punojmë fort për të garantuar që të kuptuarit nga njerëzit e Firefox-it përkon me realitetin.
Pyetjet dhe përgjigjet vijuese do të duhej t’ju ndihmonin të kuptonit se ç’duhet pritur nga Mozilla dhe Firefox-i:
- E përdor Firefox-in për thuajse gjithçka në Web. Ju aty te Mozilla duhet të dini një thes me gjëra rreth meje, apo jo?
-
Mozilla s’di aq sa mund të prisnit, rreth se si e përdorin interneti njerëzit. Firefox-i, shfletuesi që xhiron në pajisjen apo kompjuterin tuaj, është porta juaj për në internet. Shfletuesi juaj do të administrojë plot informacione rreth sajteve që vizitoni, por këto informacione përgjithësisht mbete në pajisjen tuaj.
- Duket se çdo kompani në web shet dhe blen të dhënat e mia. Gjasat janë që as ju të mos jeni ndryshe.
-
Mozilla nuk shet të dhëna rreth jush (sipas mënyrës për të cilën mendojnë shumica e njerëzve kur dëgjojnë rreth “shitjes së të dhënave“) dhe s’blejmë të dhëna rreth jush. Ngaqë përpiqemi për tejdukshmëri dhe përkufizimi LIGJOR i “shitjes së të dhënave” është tejet i gjerë në disa vende, na u desh të tërhiqemi nga bërja e pohimeve përfundimtare që njihni dhe doni. Prapë vëmë shumë energji për të garantuar se të dhënat që ndajmë me partnerët tanë (çka na duhet, për ta bërë Firefox të përshtatshëm nga ana komerciale) janë të zhveshura nga çfarëdo hollësish që lejojnë identifikim, ose ndahen vetëm si një grumbull, ose kalohen përmes teknologjish për ruajtje të privatësisë (OHTTP bie fjala).
- Dale, po paratë nga i nxirrni?
-
Mozilla s’është si entet e rëndomta. E themeluar si një projekt bashkësie, me burim të hapët, më 1998, Mozilla është një ent i udhëhequr nga një mision, që punon për një internet më të shëndetshëm. Pjesa dërrmuese e të ardhurave të Mozilla Corporation vjen nga tarifa të fituara përmes kontratash partneriteti dhe distribucioni kërkimi me shfletuesin Firefox anembanë botës. Më shumë rreth se si i nxjerrim paratë mund të mësoni te raporti ynë vjetor financiar.
- OK, këto të parat qenë të lehta. Ç’të dhëna grumbulloni?
-
Mozilla, si parazgjedhje, grumbullon një grup të kufizuar të dhënash nga Firefox-i, që na ndihmojnë të kuptojmë se si e përdorin njerëzit shfletuesin. Më shumë rreth kësaj mund të lexoni te shënimi ynë mbi privatësinë dhe mund të lexoni dokumentimin e plotë mbi grumbullimin e atyre të dhënave. Bëjmë gjithashtu publik dokumentimin tonë, që gjithkush të mund të verifikojë se ajo që themi është e vërtetë, të mund të na tregojë, nëse na duhet të përmirësohemi dhe të ketë besim se s’fshehim gjë.
- A grumbulloni më tepër të dhëna nga versionet paraqarkullim të Firefox-it?
-
Në një farë mënyre. Përveç të dhënave të përshkruara më sipër, marrim njoftime vithisjesh dhe gabimesh, si parazgjedhje në versionet paraqarkullim të Firefox-it.
Nga versione paraqarkullim, mund të grumbullojmë edhe të dhëna shtesë për një nga studimet tona. Për shembull, disa studime kërkojnë atë çka e quajmë “të dhëna shfletimi”, që mund të përfshijë URL-ra dhe të dhëna të tjera rreth disa sajtesh. Kjo na ndihmon të gjejmë përgjigje për pyetje specifike lidhur me përmirësimin e Firefox-it, bie fjala, si të integrohen më mirë sajte popullorë në gjuhë specifike.
Versionet Firefox paraqarkullim nga Mozilla janë platforma zhvillimi, të përditësuara shpesh, me veçori eksperimentale. Nga paraqarkullimet grumbullojmë më tepër të dhëna se sa pas hedhjes në qarkullim, që të mund të kuptojmë se si po ecin këto veçori eksperimentale. Te parapëlqimet mund të zgjidhni të liheni jashtë grumbullimit të këtyre të dhënave.
- Tek e fundit, pse grumbulloni të dhëna?
-
Nëse nuk e dimë se si po funksionon shfletuesi, apo se cilat veçori përdorin njerëzit, s’mund ta përmirësojmë dhe të ofrojmë produktin e fuqishëm që doni. Kemi investuar në krijimin e mjeteve për grumbullim dhe analizim të dhënash që na lejojnë të marrim vendime të mençura lidhur me produktet tona, teksa respektojmë privatësinë e njerëzve. Rreth disave prej teknologjive të privatësisë që përdorim, OHTTP bie fjala, mund të lexoni më tepër.
- Grumbullimi i të dhënave prapëseprapë më prish gjakun. A mund ta çaktivizoj?
-
Po. Pasja e kontrollit nga përdoruesi është një nga parimet tona të privatësisë së të dhënave. Këtë e vëmë në jetë te Firefox, te faqja jonë e rregullimeve të privatësisë, që shërben si zgjidhje e plotë për këdo që kërkon të ketë kontrollin e privatësisë së vet në Firefox. Aty mund të çaktivizoni grumbullimin e të dhënave.
- Po të dhënat e llogarive të mia?
-
Besojmë fort në minimizimin e të dhënave dhe nuk kërkojmë gjëra që nuk na duhen.
You don’t need an account Që të përdorni Firefox-in s’ju duhet ndonjë llogari. Llogaritë duhen për të njëkohësuar të dhëna përmes pajisjesh, por ju kërkojmë vetëm një adresë email dhe moshën tuaj (thjesht për t’u siguruar se s’jeni fëmijë).
- Si pjesë e marketingut tuaj, ju përdorni reklama dixhitale. Blini të dhëna të njerëzve për të fokusuar më mirë reklamat tuaja internetore?
-
Jo, nuk blejmë të dhëna të njerëzve për reklama të fokusuara.
Partnerëve tanë të reklamave u kërkojmë të përdorin vetëm të dhëna që ata vetë, sajte dhe botues, dinë mbi krejt përdoruesit - jo nga palë të treta - të tilla si shfletuesi që po përdorni dhe pajisje nga po e përdorni.
- Duket se vërtet më mbroni krahët te kjo punë e privatësisë.
-
Po.